Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka argumentuar se afati 60-ditor për kërkimin e miratimit nga Kongresi lidhur me luftën SHBA–Izrael me Iranin është “ndalur” për shkak të armëpushimit.
Hegseth iu përgjigj pyetjeve të senatorëve amerikanë të enjten.
E premtja shënon 60 ditë që nga njoftimi zyrtar i presidentit Donald Trump drejtuar Kongresit për sulmet ndaj Iranit më 2 mars. Ligji amerikan kërkon që presidenti të “ndërpresë çdo përdorim të forcave të armatosura të SHBA-së” brenda 60 ditëve nga një njoftim i tillë, përveç nëse Kongresi e lejon vazhdimin.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se armiqësitë me Iranin “kanë përfunduar”, duke theksuar se një armëpushim është në fuqi që nga fillimi i prillit, raporton BBC.
Pavarësisht armëpushimit, palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje afatgjatë përmes negociatave. Ndërkohë, ngushtica e rëndësishme e Hormuzit mbetet praktikisht e mbyllur, duke shkaktuar ndikime ekonomike në mbarë botën.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve të enjten, Hegseth tha: “Ne jemi në një armëpushim tani, që sipas kuptimit tonë do të thotë se ora 60-ditore ndalet ose pezullohet gjatë armëpushimit.”
Senatori demokrat Tim Kaine u përgjigj: “Unë nuk besoj se ligji e mbështet këtë. Mendoj se 60 ditët përfundojnë ndoshta nesër dhe kjo ngre një çështje shumë të rëndësishme ligjore për administratën.”
Ligji përkatës amerikan, i njohur si “War Powers Resolution”, përcakton disa detyrime për presidentin “brenda gjashtëdhjetë ditëve kalendarike” pas përdorimit të forcave amerikane në një konflikt. Ai kërkon që përdorimi i forcave të përfundojë, përveç nëse Kongresi shpall luftë zyrtarisht ose i jep presidentit një zgjatje deri në 30 ditë për tërheqjen e trupave.
Ky ligj u miratua në vitin 1973 për të kufizuar aftësinë e atëhershme të presidentit Richard Nixon për të vazhduar luftën në Vietnam.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump tha: “Për qëllime të War Powers Resolution, armiqësitë që filluan më 28 shkurt kanë përfunduar.”
Zyrtari theksoi se armëpushimi fillestar dyjavor është zgjatur dhe se nuk ka pasur shkëmbim zjarri mes SHBA-së dhe Iranit që nga 7 prilli.
BBC, përmes partnerit të saj amerikan CBS News, raportoi se zyrtarët e administratës janë në bisedime aktive me anëtarët e Kongresit për të siguruar miratimin parlamentar për luftën.
Në rastin e Iranit, përpjekjet e demokratëve në të dy dhomat e Kongresit për të kufizuar Trumpin kanë dështuar vazhdimisht. Demokratët kanë premtuar se do të vazhdojnë përpjekjet, duke thënë se ato shërbejnë edhe për të evidentuar qëndrimet e ligjvënësve.
Shumica e republikanëve kanë kundërshtuar iniciativat e demokratëve, megjithëse disa kanë lënë të hapur mundësinë e rishikimit të qëndrimeve pas kalimit të afatit 60-ditor.