Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Jerevan të Armenisë.
Sipas njoftimit të tij, darka u shtrua nga Presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan, ndërsa Kurti u mirëprit edhe nga Kryeministri armen Nikol Pashinyan dhe Kryetari i Kuvendit, Alen Simonyan.
Gjatë mbrëmjes, Kurti ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me një sërë liderësh evropianë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, ku janë diskutuar zhvillimet aktuale në Evropë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve.
Në mesin e liderëve me të cilët është takuar Kurti përfshihen përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Zvicra, Shqipëria, Mali i Zi, Norvegjia, si dhe vende të tjera evropiane, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të organizatave ndërkombëtare.
Takimet janë vlerësuar si pjesë e përpjekjeve për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal e evropian.