Policia e Kosovës ka paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku pritet të prezantohen detaje nga operacionet e zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.
Konferenca do të mbahet sot, më 20 gusht 2026, në orën 16:00, në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
Sipas njoftimit, gjatë aksioneve policore janë zbuluar dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme armësh, municioni, uniformash dhe dëshmish të tjera relevante. Materialet e konfiskuara pritet të ekspozohen para mediave.
Në fokus të konferencës do të jetë edhe rasti i “Krimeve të Luftës ndaj Popullatës Civile”, për të cilin Policia është duke zhvilluar veprime në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok.
Për zhvillimet e operacionit dhe provat e sekuestruara do të flasin ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.
Detajet e plota pritet të bëhen publike gjatë konferencës së sotme në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.