Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka ngritur shqetësimin për gjendjen e sektorit vendor, duke paralajmëruar se rritja e importeve dhe diferencat e çmimeve mund të godasin rëndë fermerët dhe përpunuesit kosovarë.
Sipas SHIQK-së, industria e qumështit është zhvilluar ndër vite falë investimeve private, mbështetjes publike dhe angazhimit të mijëra fermerëve e përpunuesve.
Shoqata thotë se pikërisht në kohën kur sektori vendor kishte krijuar kapacitete për të konkurruar më fuqishëm me produktet e huaja, ai është përballur me dezinformata, interpretime të paqarta dhe masa që, sipas saj, kanë ndikuar negativisht te prodhuesit vendas.
Pasojat, sipas SHIQK-së, tashmë po vërehen edhe në treg. Produktet e prodhuara në Kosovë po humbin hapësirë në raftet e marketeve, ndërsa ato të importuara po zënë gjithnjë e më shumë vend.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me çmimin e qumështit të importuar. SHIQK thekson se një litër qumësht nga importi mund të shitet në pakicë për 0.49 euro, ndërsa prodhuesit vendorë përballen me shpenzime për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit të freskët.
“Po bëhet më lirë ta blesh qumështin e gatshëm në supermarket sesa ta grumbullosh nga fermeri vendor”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me konkurrencën mes kompanive, por prek drejtpërdrejt fermerët, industrinë përpunuese, vendet e punës dhe sigurinë ushqimore të vendit.
SHIQK paralajmëron se vazhdimi i këtij trendi mund të ketë pasoja afatgjata për fermat dhe investimet në industrinë vendore të qumështit.
“Dëmi nuk do të matet vetëm me humbjet e sotme të qumështoreve. Nesër mund të mos kemi më fermerë që ia vlen të mbajnë lopë, industri që ia vlen të investojë dhe prodhim vendor që mund të konkurrojë”, theksohet në reagim.
Shoqata kërkon që importi të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe të ketë konkurrencë të drejtë, por njëkohësisht u bën thirrje institucioneve që të sigurojnë rregulla të barabarta dhe të mbrojnë prodhimin vendor nga praktikat që mund ta dëmtojnë atë.
“Kur shuhet fermeri dhe prodhuesi vendor, raftet mund të mbeten plot – por ekonomia e vendit mbetet bosh”, përfundon SHIQK.