Një situatë krejt ndryshe është krijuar para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku pas përplasjeve dhe tensioneve të mëhershme, protestuesit dhe efektivët e policisë janë parë duke u përqafuar.
Rreth orës 13:22, atmosfera në këtë zonë ka ndryshuar dukshëm. Pas hedhjes së gurëve në drejtim të policisë dhe përdorimit të gazit lotsjellës e ujit me presion ndaj protestuesve, palët janë afruar me njëra-tjetrën, duke lënë përkohësisht mënjanë përplasjet.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë protestues dhe pjesëtarë të policisë duke shkëmbyer përqafime, në një moment që dallon nga skenat e tensionuara të regjistruara më herët gjatë tubimit.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo qetësi do të vazhdojë edhe në orët në vijim. Për momentin, situata para Ministrisë së Arsimit paraqitet e qetë, pas një periudhe të shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
