October 16, 2026
2 mins read

Dogana gjermane hap valixhen e pasagjerit, zbulon mbi 90 gjarpërinj dhe hardhuca

Një kontroll rutinë në Aeroportin Këln-Bon të Gjermanisë ka përfunduar me një zbulim të pazakontë, pasi zyrtarët doganorë kanë gjetur më shumë se 90 gjarpërinj dhe hardhuca të fshehura në valixhen e një pasagjeri nga Meksika. Mes zvarranikëve kishte edhe specie helmuese.

Sipas autoriteteve doganore, bëhet fjalë për një shtetas meksikan 45-vjeçar, i cili u ndalua teksa po kalonte nëpër korridorin e gjelbër të aeroportit, që përdoret nga udhëtarët pa mallra për të deklaruar. Zyrtarët vunë re se ai dukej dukshëm i shqetësuar.

Gjatë kontrollit, një test për praninë e lëndëve narkotike rezultoi pozitiv për kokainë, megjithëse gjatë kontrollit nuk u gjet asnjë drogë. Surpriza erdhi kur doganierët hapën valixhen e tij, ku zbuluan 37 gjarpërinj helmues dhe 55 hardhuca.

Zvarranikët ishin fshehur në mënyra të ndryshme, brenda shisheve të shamponit, paketimeve të kremrave, enëve plastike dhe çorapeve të mbështjella.

Jens Ahland, zëdhënës i zyrës doganore në Këln, tha se punonjësit janë mësuar me sende të pazakonta në bagazhet e udhëtarëve, por një rast i tillë ishte i paprecedentë për ta.

Ai bëri të ditur se disa prej kafshëve ishin transportuar në kushte të papërshtatshme, si pasojë e të cilave një pjesë e tyre ngordhën gjatë udhëtimit nga Meksika, me ndalesë në Stamboll, drejt Gjermanisë.

Pasagjeri u kthye në Stamboll, zvarranikët u morën nën kujdes

Gjatë marrjes në pyetje, burri u tha autoriteteve se po i transportonte kafshët si favor për një të njohur nga Brazili.

Megjithatë, autoritetet gjermane ia ndaluan hyrjen në vend dhe e kthyen me avion në Stamboll. Ndërkohë, zvarranikët që mbijetuan u vendosën nën kujdesin e punonjësve të një ferme gjarpërinjsh në Gjermani.

Sipas të dhënave të doganës gjermane, gjatë vitit të kaluar në të gjithë vendin janë regjistruar mbi 1 mijë e 300 raste sekuestrimi që përfshinin më shumë se 56 mijë e 600 kafshë, bimë të mbrojtura dhe produkte të përftuara prej tyre.

Një rast i ngjashëm ishte regjistruar edhe më parë në Aeroportin Këln-Bon. Rreth gjashtë vjet më parë, zyrtarët zbuluan 26 zvarranikë të rrallë të fshehur në pako me lodra dhe ëmbëlsira, të dërguara nga Meksika për blerës privatë në Gjermani. Dhjetë prej kafshëve nuk arritën të mbijetonin gjatë transportit.

Latest from Blog

Go toTop