October 16, 2026
1 min read

Sulmet ruse me dronë në Ukrainë, tre të vdekur dhe 370 mijë banorë pa energji elektrike

Të paktën tre persona kanë humbur jetën nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë, ndërsa rreth 370 mijë banorë në rajonin e Volynit kanë mbetur pa energji elektrike pas goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Në qytetin lindor të Kharkivit, dy persona u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën nga sulmet në tri zona të qytetit, bëri të ditur guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov.

Ndërkohë, në rajonin e Volynit, pranë kufirit me Poloninë, një sulm me dron ndaj një objekti të përpunimit të ushqimit shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e tetë të tjerëve.

Sulmet dëmtuan gjithashtu rrjetin energjetik, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike për qindra mijëra banorë. Ekipet e riparimit arritën të rikthenin furnizimin për rreth 100 mijë persona deri në orët e mëngjesit.

Në Lutsk, kryeqytetin rajonal të Volynit, ndërprerjet e energjisë elektrike mund të zgjasin të paktën 24 orë, paralajmëroi kryetari i komunës, Andriy Razumovskyi.

Përveç infrastrukturës energjetike, sulmet goditën edhe dy qendra tregtare, një në qytetin verior të Sumyt dhe tjetrën në rajonin e Rivnes.

Sipas guvernatorit të Rivnes, Oleksandr Koval, shtatë persona u plagosën nga goditjet ndaj një qendre të madhe tregtare dhe lokacioneve të tjera në rajon.

Autoritetet ukrainase po vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe punën për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në zonat e prekura.

Latest from Blog

Go toTop