October 16, 2026
1 min read

Berisha u bën thirrje qytetarëve për protestën e së shtunës: Të solidarizohemi me studentët

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve, prindërve dhe bizneseve që të solidarizohen me studentët dhe gjimnazistët, në prag të protestës së paralajmëruar për të shtunën në Tiranë.

Në një deklaratë publike, Berisha ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj të rinjve gjatë protestave të ditëve të fundit. Ai ka ftuar qytetarët nga Shqipëria dhe diaspora që t’u bashkohen protestuesve.

Duke iu drejtuar prindërve dhe qytetarëve, Berisha tha se të rinjtë kanë nevojë për mbështetje, ndërsa pretendoi se gjatë protestave të zhvilluara nga 13 tetori, shumë studentë, gjimnazistë dhe qytetarë janë keqtrajtuar, ndaluar dhe arrestuar.

Ai ka kritikuar ashpër mënyrën e ndërhyrjes së policisë, duke përmendur përdorimin e gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe mjeteve të tjera gjatë përplasjeve.

“Kjo barbari nuk ka ndodhur as në vitet ’90”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe duke kërkuar reagim më të madh qytetar.

Në thirrjen e tij, kreu i opozitës u ka kërkuar demokratëve, prindërve dhe përfaqësuesve të bizneseve që të marrin pjesë në protestën e së shtunës, në shenjë solidariteti me studentët dhe gjimnazistët.

Berisha gjithashtu pretendoi se në protestë do të marrin pjesë qytetarë nga vende të ndryshme të Evropës, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve që t’i mbështesin kërkesat e të rinjve.

Latest from Blog

Go toTop