Modelja australiane Sahara Ray ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare, vetëm pak muaj pasi u bë nënë për herë të parë. Ajo ishte e njohur për karrierën në modë dhe lidhjen e saj të mëparshme me këngëtarin Justin Bieber.
Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga familjarët për median amerikane TMZ. Sipas tyre, modelja ndërroi jetë në spital, e rrethuar nga njerëzit e saj të afërt.
“Ajo ishte shumë e dashur”, thuhet në deklaratën e familjes, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.
Lajmi ka prekur miqtë dhe ndjekësit e saj, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe kanë ndarë mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale.
Sahara Ray u bë nënë në janar të këtij viti, kur solli në jetë vajzën e saj, Snow.
Përveç angazhimit në modeling, ajo ishte aktive edhe si influencuese dhe sipërmarrëse. Ray themeloi markën e saj të rrobave të banjës, Sahara Ray Swim, përmes së cilës ndërtoi një profil të njohur në industrinë e modës.
Vëmendje të madhe mediatike mori në vitin 2016, kur u publikuan fotografi të saj me Justin Bieber gjatë pushimeve në Hawaii. Ajo ishte përfolur gjithashtu për një lidhje të mundshme me këngëtarin australian Cody Simpson.

Sahara ishte vajza e Tony Ray, një emër i njohur në botën australiane të sërfit, ndërsa jetën e kishte ndarë mes Australisë, Kalifornisë dhe Hawaiit.
Vitet e fundit, modelja kishte folur edhe për betejën e saj shëndetësore me sindromën Guillain-Barré, një çrregullim i rrallë neurologjik. Sipas raportimeve, sëmundja i ishte diagnostikuar pas një aksidenti të rëndë automobilistik dhe i kishte shkaktuar kufizime të konsiderueshme në lëvizje.
