Serbia po vazhdon të promovojë materiale filmike që paraqesin ushtrinë serbe në dritë heroike, duke lënë jashtë vëmendjes krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Nisma e fundit e Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd, përmes dokumentarit kushtuar Korpusit të Prishtinës, ka nxitur reagime dhe kritika nga njohës të çështjeve të sigurisë.
Dokumentari me titull “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu” u promovua në Nish, në një ceremoni ku morën pjesë zyrtarë të lartë serbë, përfshirë ish-komandantin e këtij formacioni ushtarak, Vlladimir Llazareviq, i cili është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e ka paraqitur filmin si një rrëfim për heroizmin dhe sakrificën e ushtarëve serbë. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, ka drejtuar akuza ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si organizatë terroriste.
Njohësit e sigurisë në Kosovë e shohin këtë qasje si vazhdimësi të përpjekjeve për ta paraqitur luftën përmes një interpretimi që favorizon narrativën zyrtare serbe, pa trajtuar në mënyrë të plotë krimet e kryera ndaj popullsisë civile shqiptare.
Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, ka kritikuar këtë mënyrë të paraqitjes së historisë, duke e cilësuar si pjesë të propagandës politike të Serbisë.
“Kjo tregon hipokrizinë e politikës serbe, por edhe propagandën me të cilën, deri diku, kanë arritur ta bindin një pjesë të opinionit, sidomos me rastin e krijimit të Gjykatës Speciale, por edhe përmes provave të falsifikuara dhe të fabrikuara”, ka deklaruar Ibishi për RTK-në.
Ai ka shtuar se, përmes këtyre materialeve, synohet të krijohet një perceptim pozitiv për veprimet e ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkohë, Arben Fetoshi nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka vlerësuar se promovimi i narrativave nacionaliste duhet të trajtohet edhe në kontekstin e orientimit politik dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Serbisë.
Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore duhet të reagojnë ndaj diskursit nacionalist, duke pasur parasysh marrëdhëniet e Beogradit me Perëndimin dhe afërsinë e tij me Rusinë.
“Diskursi nacionalist në Serbi duhet të marrë përgjigje të qartë dhe të vendosur nga ana e Perëndimit, në veçanti nga Brukseli, për shkak se Serbia do të përpiqet, si deri më tani, ta ruajë pozicionin e dyfishtë të përfitimit, duke marrë fonde nga Perëndimi dhe duke u rreshtuar gjithnjë e më shumë me Rusinë”, ka thënë Fetoshi.
Dokumentari është prodhuar nga qendra filmike ushtarake “Zastava Film” dhe trajton veprimtarinë e Korpusit të Prishtinës kryesisht nga këndvështrimi ushtarak serb. Kritikët theksojnë se në këtë rrëfim nuk u kushtohet vëmendja e duhur krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Në Serbi, më herët është realizuar edhe një dokumentar për betejën e Koshares, i cili gjithashtu ka nxitur diskutime lidhur me mënyrën se si paraqiten ngjarjet e luftës në Kosovë.
Promovimi i këtyre materialeve ka rikthyer në vëmendje debatin për interpretimin e historisë së luftës, përgjegjësinë për krimet e kryera dhe ndikimin e narrativave nacionaliste në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.