Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzuesit për punën e përditshme të Zyrës së Regjistrit, me synimin për të lehtësuar nisjen e hetimeve sipas detyrës zyrtare.
Sipas vendimit, prokurorëve specialë u mundësohet që, në kuadër të kompetencave të tyre, të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndës, pa pasur nevojë të marrin paraprakisht autorizimin e kryeprokurorit.
Ky ndryshim synon të thjeshtojë procedurat administrative dhe t’u krijojë prokurorëve më shumë mundësi për të iniciuar hetime për vepra penale sipas detyrës zyrtare, në përputhje me kompetencat dhe pavarësinë e tyre funksionale.
Përmes këtij vendimi, synohet të shmangen pengesat e panevojshme administrative dhe të mundësohet një veprim më efikas në trajtimin e rasteve që hyjnë në kompetencën e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në hetimin e të gjitha veprave penale që janë në përgjegjësinë e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi.