Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka zhvilluar një takim me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi.
Takimi u zhvillua me qëllim të forcimit të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet palëve, pas emërimit të Vergorit në krye të misionit të NATO-s në Kosovë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë bisedës u shkëmbyen pikëpamje për bashkëpunimin dhe u riafirmua përkushtimi i përbashkët për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të takimit ishte gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Shqipëria kontribuon në misionin paqeruajtës të KFOR-it, i cili vepron nën udhëheqjen e NATO-s, me 17 ushtarë.
Takimi vjen në kuadër të angazhimeve për forcimin e marrëdhënieve me partnerët rajonalë dhe koordinimin për çështjet që lidhen me sigurinë në rajon.