Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të të gjithë anëtarëve të kryesisë së partisë, pas zhvillimeve të fundit lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Haxhiu ka kërkuar që dorëheqjet të jepen sonte, deri në orën 24:00, ndërsa ka bërë thirrje që Këshilli Drejtues i PDK-së të mblidhet brenda 48 orëve për të caktuar një kryesi të përkohshme.
Sipas tij, kjo kryesi duhet të ketë mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Në reagimin e tij, Haxhiu ka theksuar se çështjet që lidhen me UÇK-në dhe fatin e ish-krerëve të saj nuk duhet të shfrytëzohen për interesa politike.
“Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd”, ka deklaruar ai.
Deputeti i PDK-së ka vlerësuar se këto çështje prekin drejtpërdrejt themelet e lirisë, sakrificën e popullit dhe dinjitetin e shtetit të Kosovës.
Ai e ka përsëritur kërkesën për dorëheqje të kryesisë deri në mesnatë dhe mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda dy ditësh, duke kërkuar përgjegjësi dhe vendime konkrete nga udhëheqja e partisë.
Në fund të reagimit, Haxhiu ka ritheksuar mbështetjen e tij për ish-krerët e UÇK-së, duke përfunduar me thirrjen: “Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”.