Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar me shqetësim pas kthimit në Kuvend të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
OVL-UÇK u ka bërë thirrje të gjitha partive parlamentare që të mos e shfrytëzojnë këtë çështje për interesa partiake, duke kërkuar që procesi të mos zvarritet dhe ndryshimet e nevojshme të trajtohen pa vonesa.
Në reagimin e saj, organizata vlerëson se gatishmëria e shumicës së deputetëve për ta mbështetur ligjin duhet të shfrytëzohet për përmbylljen e procesit, ndërsa kërkon që, në rast të rikthimit të tij në Kuvend, plotësimet të bëhen me procedurë të përshpejtuar.
OVL-UÇK ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se dispozitat për faljen e dënimeve janë antikushtetuese, duke iu referuar rregullimeve ekzistuese në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në fund të reagimit, organizata ka dhënë një paralajmërim të qartë: nëse kërkesat e veteranëve nuk adresohen, veprimet dhe protestat mund të përshkallëzohen.
Komunikata e plotë e OVL-UÇK-së:
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po e përcjell me shqetësim debatin rreth plotësimeve dhe ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ky ligj ka rëndësi të veçantë për luftën tonë dhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndaj të cilëve në shkallën e parë është shqiptuar dënim i papranueshëm, i padrejtë dhe krejtësisht politik.
OVL-UÇK u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të mos bëjnë politikë me këtë ligj dhe të mos e përdorin atë për interesat e tyre partiake.
Sipas ekspertëve juridikë që e mbështesin OVL-UÇK-në, ligji nuk ka asnjë pengesë juridike dhe miratimi i tij varet vetëm nga vullneti politik.
Edhe përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte po cilësohet gabimisht si antikushtetuese, sepse edhe ligji ekzistues për Dhomat e Specializuara e rregullon shprehimisht çështjen e faljes dhe të zbutjes së dënimit, duke ia lënë këtë kompetencë drejtpërdrejt kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
OVL-UÇK vlerëson se tani, kur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar gatishmëri dhe vullnet të mirë për ta votuar këtë ligj, propozimet për dispozita të reja nuk duhet të shërbejnë si arsye për zvarritjen apo pengimin e procesit.
OVL-UÇK u bën thirrje të gjitha partive politike që, në rast se ligji rikthehet në Kuvend, plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të bëhen pa vonesa dhe të miratohen me procedurë të përshpejtuar.
Në të kundërtën, OVL-UÇK paralajmëron përshkallëzimin e veprimeve dhe protestave në mbrojtje të kërkesave të veteranëve dhe të luftës sonë çlirimtare.