October 8, 2025
1 min read

Adili: Është shqetësuese plagosja e zyrtarit të BDI-së brenda një fushate elektorale

Analisti politik Bekim Adili ka thënë se është shqetësuese gjuajtja me armë zjarri dje ndaj zyrtarit të BDI-së, Zekirija Shaini, i cili është bartës i listës së koalicionit AKI në Likovë.

Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ai ka theksuar se mund të ketë prapavijë të ndryshme për këtë sulm.

“Kjo ngjarje është shqetësuese për faktin se ndodh brenda një fushate elektorale. Ajo çfarë e rëndon më së shumti është se ky atentat ka ndodhur ndaj bartësit të listës së AKI-së për Likovën. Një personalitet i dëshmuar si në sferën e tij profesionale, ashtu edhe në aspektin politik, si dhe si ish-pjesëtar i UÇK-së,” ka deklaruar Adili.

“Janë tri pista për të cilat duhet të hedhim analizën tonë mbi atë se çfarë mund të jetë në prapavijë. Edhe nëse nuk ka prapavijë politike, apo ndonjë skenar ogurzi nga qarqet anti-shqiptare, nuk mund të përjashtohet as aspekti që lidhet me veprimtarinë e doktorit,” ka shtuar ai.

Adili tha se situata të tilla kanë ndodhur edhe më herët dhe kishin për qëllim ndarjen e shqiptarëve mes vete.

“Uroj që prapa saj të mos fshihet një dorë e zezë e errët e skenarëve anti-shqiptarë, për shkak se i kemi të njohura këto lloj situatash edhe nga e kaluara, kur qarqe anti-shqiptare, duke shkaktuar vëllavrasje, kanë arritur të përçajnë dhe të fusin në konflikt shqiptarët në përgjithësi,” tha Adili.

Dje Prokuroria Themelore në Maqedoninë e Veriut njofton se atentati ndaj kandidatit për kryetar të Këshillit Komunal, Zekirija Shahini, nga të dhënat fillestare, nuk ishte politik.

Por, nga Prokuroria shtuan se rrethanat po verifikohen dhe se po mblidhen gjurmët dhe dëshmitë materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës.

Latest from Blog

Go toTop