October 21, 2026
3 mins read

Alarm në Francë, SHBA paralajmëron qytetarët: Shmangni këto qytete mes protestave të dhunshme!

Ambasada amerikane në Francë ka paralajmëruar qytetarët e saj që të qëndrojnë larg zonave ku po zhvillohen protesta të dhunshme, pasi përplasjet, plaçkitjet dhe përdorimi i gazit lotsjellës kanë përkeqësuar situatën e sigurisë në disa qytete franceze. Në disa zona janë vendosur kufizime të lëvizjes dhe masa të posaçme sigurie.

Paralajmërimi vjen pas protestave të 17 tetorit, të cilat eskaluan në përleshje në disa qytete, përfshirë Parisin, Lionin dhe Lilin. Autoritetet kanë vendosur kufizime të pjesshme të lëvizjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e masave të tjera nëse situata përkeqësohet. Protestat sporadike mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Parisi nën tension, vendosen kufizime gjatë natës

Në kryeqytetin francez, autoritetet kanë vendosur masa kufizuese gjatë natës në disa zona, përfshirë hapësirat përreth Place de la République dhe zonën tregtare Le Al. Gjatë përplasjeve, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, ndërsa automjetet e djegura dhe zjarret në rrugë e rënduan edhe më shumë situatën.

Turistëve që vizitojnë Parisin u rekomandohet të shmangin zonat ku zakonisht organizohen protesta, veçanërisht Place de la République, Place de la Bastille, Place de la Nation dhe Boulevard Voltaire.

Dhuna përhapet në qytete të tjera, raportohen dëme të mëdha

Trazirat nuk janë kufizuar vetëm në Paris. Në Lion, zyra turistike në Place Bellecour u përfshi nga zjarri gjatë demonstratave, ndërsa në Limoges flakët përfshinë ndërtesën historike të bashkisë. Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Bordeaux deklaroi se gjatë protestave janë plaçkitur deri në 100 dyqane.

Pavarësisht situatës së tensionuar, fluturimet drejt dhe nga Parisi po zhvillohen kryesisht normalisht. Megjithatë, udhëtarëve u bëhet thirrje të kontrollojnë paraprakisht oraret e fluturimeve, të informohen për ndryshimet e mundshme në funksionimin e metrosë dhe transportit publik, si dhe të llogarisin kohë shtesë për të mbërritur në aeroport.

Ambasada amerikane u ka kërkuar qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe informacionet lokale për zhvillimet e sigurisë, si dhe të respektojnë çdo kufizim të vendosur nga autoritetet.

Edhe shtetet evropiane ngrenë alarmin për qytetarët e tyre

Shqetësimi për situatën në Francë është shtuar edhe në mesin e shteteve të tjera. Gjermania ka paralajmëruar se trazirat e reja nuk mund të përjashtohen në ditët në vijim, duke u kërkuar qytetarëve të saj të ndjekin udhëzimet e policisë.

Italia u ka rekomanduar qytetarëve të regjistrojnë qëndrimin e tyre në Francë përmes platformave përkatëse, në mënyrë që të mund të kontaktohen më lehtë në rast emergjence. Ndërsa Republika Çeke, Polonia dhe Holanda kanë këshilluar qytetarët të shmangin demonstratat dhe zonat ku zhvillohen tubime masive.

Edhe Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke u rekomanduar qytetarëve të shmangin protestat dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale.

Paralajmërime edhe nga Azia

Situata ka nxitur reagime edhe jashtë Evropës. Autoritetet kineze u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre në Francë që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin masa për sigurinë personale dhe të qëndrojnë larg zonave ku zhvillohen protesta.

Ndërkohë, Malajzia ka bërë të ditur se po e monitoron nga afër situatën. Edhe pse udhëtimet drejt Francës nuk janë ndaluar, qytetarëve u është rekomanduar të shqyrtojnë shtyrjen e udhëtimeve jo të domosdoshme deri në përmirësimin e gjendjes.

Si nisën protestat që po tronditin Francën?

Vala e protestave masive nisi në mesin e shtatorit, fillimisht si një grevë dhe revoltë lokale në një shkollë të mesme në një periferi të varfër të Parisit. Pakënaqësitë lidhen me kushtet e dobëta në arsim, mungesën e vazhdueshme të mësuesve, klasat e mbipopulluara dhe gjendjen e amortizuar të ndërtesave shkollore.

Lëvizja u përhap më pas në shkolla të mesme dhe kolegje në mbarë vendin, duke u shoqëruar me bllokada dhe përplasje me policinë.

Me kalimin e ditëve, protestave iu bashkuan sindikatat, prindërit dhe aktivistë të lidhur me lëvizjen “Jelekët e Verdhë”. Përveç kërkesave për reforma në arsim, në rrugë dolën edhe pakënaqësitë për koston e lartë të jetesës, rritjen e çmimeve të karburantit dhe masat shtrënguese të qeverisë.

Përshkallëzimi i protestave ka shtuar shqetësimet për sigurinë në disa prej qyteteve kryesore franceze, ndërsa autoritetet dhe përfaqësitë diplomatike u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat e rrezikut.

Latest from Blog

Go toTop