Profesori dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka deklaruar se Kushtetuta e vendit ka bërë realitet faktik shtetësinë e vendit dhe është rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në një prononcim për emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova, Bajrami tha se Kushtetuta, e cila sot shënon sot 18-vjetorin, është produkt i një procesi të ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
“Kjo Kushtetutë është një Kushtetutë që ka bërë realitet faktik shtetësinë e Kosovës dhe natyrisht ka ardhur si rezultat i një partneriteti strategjik që kemi bërë me bashkësinë ndërkombëtare, me ShBA-në, me Britaninë e Madhe, me shtetet evropiane dhe Grupin e Kontaktit. Ky partneritet është ndërtuar gjatë kohës së luftës së viteve ‘98’, sidomos në Konferencën e Rambujesë dhe pas intervenimit të NATO-s, duke vazhduar në procesin e shtetndërtimit deri te shpallja e pavarësisë dhe miratimi i kësaj Kushtetute në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Bajrami.