October 19, 2026
1 min read

Banka e Shqipërisë qetëson qytetarët: Dëmtimet në disa degë nuk rrezikojnë kursimet

Banka e Shqipërisë ka siguruar qytetarët se dëmtimet e shkaktuara në disa degë bankare në Tiranë nuk përbëjnë rrezik për depozitat dhe kursimet e tyre.

Përmes një reagimi zyrtar, institucioni ka sqaruar se kufizimet e përkohshme të shërbimeve në disa filiale janë ndërmarrë për të garantuar sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, dëmtimi i një pjese të infrastrukturës fizike të degëve nuk ndikon në sigurinë e depozitave të klientëve dhe as në stabilitetin financiar të bankave.

Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve të mos shqetësohen për kursimet e tyre, duke theksuar se ato mbeten të mbrojtura pavarësisht dëmeve të shkaktuara në ambientet bankare.

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur gjithashtu se sistemi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht, pa ndërprerje, duke mundësuar vazhdimin e aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe përmbushjen e nevojave të familjeve.

Në përfundim, institucioni u ka kërkuar qytetarëve që, gjatë ushtrimit të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera bankare.

Latest from Blog

Go toTop