Një biznesmen turk raportohet se ka blerë reçipetat luksoze të zbukuruara me diamante, të cilat Kylie Jenner i veshi në sfilatën e këtij viti të Victoria’s Secret, për shumën marramendëse prej 50 milionë dollarësh, rreth 43 milionë euro.
Sipas raportimeve në mediat turke, biznesmeni dyshohet se e ka blerë këtë krijim ekskluziv si dhuratë për bashkëshorten e tij. Megjithatë, identiteti i tij mbetet ende i panjohur dhe blerja nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Reçipetat janë bërë objekt i vëmendjes së madhe për shkak të vlerës së jashtëzakonshme dhe gurëve të çmuar që i zbukurojnë. Sipas raportimeve të mëparshme, pas përfundimit të sfilatës, ato pritej të ktheheshin në dyqanin e bizhuterive Jacob & Co. në Nju Jork, ku do t’u prezantoheshin blerësve potencialë.
Ndryshe nga disa modele të mëparshme të koleksionit të famshëm “Fantasy Bra”, të cilat çmontoheshin pas sfilatave për ripërdorimin e diamanteve dhe gurëve të tjerë të çmuar, ky model është planifikuar të shitet i plotë, në formën e tij origjinale.
4,410 diamante dhe një gur i verdhë me vlerë 22 milionë dollarë
Reçipetat janë krijuar në bashkëpunim me shtëpinë e njohur të bizhuterive Jacob & Co. dhe janë zbukuruar me deri në 4,410 diamante, duke u konsideruar ndër krijimet më të kushtueshme në historinë e koleksionit “Fantasy Bra” të Victoria’s Secret.
Vëmendje të veçantë tërheq diamanti i madh i verdhë, me peshë prej 75.54 karatësh, vlera e të cilit vlerësohet në rreth 22 milionë dollarë, ose afërsisht 19 milionë euro.
Për realizimin e këtij krijimi luksoz janë angazhuar 15 artizanë, të cilët kanë investuar më shumë se 1,000 orë punë.
Pavarësisht se bëhet fjalë për një veshje intime, pesha e madhe e gurëve të çmuar bën që reçipetat të peshojnë rreth 1.8 kilogramë.
Deri më tani, Victoria’s Secret nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse shitja është realizuar apo nëse një biznesmen turk është blerësi i tyre.
