Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur të mërkurën në takim ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me rastin e fillimit të mandatit të saj diplomatik.
Gjatë takimit, Vitia e ka uruar ambasadoren për detyrën e re, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë zvicerane dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.
Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve, me theks të veçantë te projektet AQH dhe IHS, të cilat kanë ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, avancimin e aftësive profesionale dhe forcimin e kujdesit parësor e spitalor.
Ministri Vitia ka shprehur gatishmërinë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Zvicrën, me synimin që përfitimet nga partneriteti mes dy vendeve të reflektohen në shërbime shëndetësore më cilësore për qytetarët e Kosovës.