Një incident është regjistruar të mërkurën në rrugën Zhur–Dragash, në segmentin e njohur si “Laku i Keq”, ku disa blloqe ndërtimore kanë rënë nga një kamion dhe kanë penguar qarkullimin.
Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes pasi materialet ndërtimore kishin mbetur në rrugë, duke paraqitur rrezik për pjesëmarrësit në trafik.
Gjatë ndërhyrjes është konstatuar se drejtuesi i kamionit kishte vazhduar rrugën pa u ndalur pas rënies së materialeve.
Pas koordinimit me patrullën e Stacionit Policor në Dragash, autoritetet kanë arritur ta ndalojnë kamionin me targa vendore, i cili është në pronësi të një kompanie nga Prizreni.
Për rastin, drejtuesit të mjetit dhe kompanisë u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Ndërkohë, kompania e autorizuar ka ndërhyrë menjëherë për largimin e blloqeve nga rruga, duke bërë të mundur rikthimin e qarkullimit në normalitet.