Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka kritikuar mosfunksionalizimin e institucioneve, duke folur në Kuvend në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, në prani të një numri të madh të rinjsh.
Ajo ka thënë se do të dëshironte që para të rinjve të flitej për arritjet, planet dhe perspektivën e vendit, por sipas saj, situata aktuale e ka bërë të domosdoshme që të ngrihen shqetësime për funksionimin e demokracisë dhe institucioneve.
Jashari ka përmendur edhe përplasjen e mëhershme me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke deklaruar se gjatë debatit i është thënë se “ne e kemi fuqinë”.
Sipas Jasharit, fitorja në zgjedhje duhet të shoqërohet me përgjegjësi, punë dhe angazhim për qytetarët. Ajo ka theksuar se dashuria për vendin dëshmohet përmes punës dhe jo vetëm përmes fjalëve.
Deputetja ka ngritur edhe shqetësimin për të ardhmen e të rinjve, duke pyetur se çfarë ka ndryshuar në jetën e tyre gjatë viteve të fundit dhe pse shumë prej tyre, pas përfundimit të fakultetit, përballen me vështirësi për të gjetur punë.
Në fund, Jashari u ka bërë thirrje të rinjve të jenë të kujdesshëm ndaj propagandës dhe ndikimit të vazhdueshëm që mund të hasin në rrjetet sociale.