by
April 3, 2026
2 mins read

”Kosova, përkrahësja më e madhe e ShBA-së,kundërshtarja më e ashpër e Kinës”

Kosova është mbështetësja më e madhe e udhëheqjes së ShBA-së, sipas matjeve të fundit nga “Gallup”.

Në të njëjtën kohë, matjet tregojnë se vendi ynë është edhe kundërshtari më i madh i politikës së Kinës.

“Krahasimi i miratimit neto në nivel shtetëror tregon se cilat vende anojnë drejt njërës fuqi apo tjetrës në aspektin e opinionit publik. Vendet dhe territoret më të rreshtuara me Shtetet e Bashkuara – ato që kanë një miratim të fortë neto për ShBA-në, që përafërsisht pasqyron mosmiratimin e tyre neto ndaj Kinës – shtrihen në disa rajone dhe përfshijnë Kosovën, Shqipërinë, Izraelin, Poloninë dhe Filipinet”, thuhet mes tjerash në publikimin e “Gallup”.

Sipas të dhënave, Kosova është në vend të parë për sa i përket miratimit të politikave amerikane, me 64 pikë, kurse në të njëjtën kohë, është edhe kundërshtarja më e fortë e politikave të Republikës Popullore të Kinës, me -68 pikë.

Pas Kosovës, si mbështetësja e dytë ndaj ShBA-së del të jetë Izraeli me 57 pikë, Polonia me 47, Shqipëria me 40 dhe Filipinet me 36.

Edhe për sa i përket mos-miratimit të politikave të Kinës, renditja është pothuajse e njëjtë, me Poloninë që renditet pak më poshtë se Kosova, me -63 pikë, Izraeli me -59 pikë, Shqipëria -44 dhe Filipinet me -42.

Ndërkaq, vendet që miratojnë më së shumti politikat e shtetit të Kinës janë Rusia, Pakistani, Tunizia, Singapori dhe Hong Kongu, shifra që tregojnë po ashtu se të njëjtat kanë edhe negativitet të thellë ndaj ShBA-së.

Sipas “Gallup”, ndonëse asnjëri vend nuk gëzon mbështetje të gjerë, Kina i tejkaloi Shtetet e Bashkuara në vlerësimet globale të miratimit në vitin 2025, me një mesatare prej 36% që miratojnë udhëheqjen e Kinës, krahasuar me 31% për ShBA-në.

Gati gjysma e të gjitha vendeve kanë një qëndrim negativ ndaj të dy fuqive

Gati gjysma e të gjitha vendeve të anketuara vitin e kaluar (45%) dhanë vlerësime negative të miratimit neto për të dyja fuqitë, që do të thotë se më shumë njerëz i kundërshtuan sesa i mbështetën secilën prej tyre.

Më pak se një në tre vende (29%) dhanë vlerësime pozitive të miratimit neto për të dyja. Përveç vitit 2020, kur u anketuan më pak vende për shkak të pandemisë, kjo është periudha kur bota ka pasur qëndrimin më negativ ndaj të dy fuqive në dy dekadat e fundit.

Rezultatet më të fundit bazohen në sondazhet e “Gallup” të zhvilluara në vitin 2025 në më shumë se 130 vende; ato në mënyrë të veçantë i paraprijnë disa zhvillimeve të mëdha në fillim të vitit 2026, përfshirë tërheqjen e ShBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare në janar dhe shpërthimin e luftës me Iranin në fund të shkurtit.

Latest from Blog

Shitësit online në shënjestër të mashtruesve

Vetëm disa minuta pasi një qytetar nga Prishtina publikoi një shpallje për shitje në platformën online MerrJep, atë e kontaktoi “blerësja” e parë. Ajo u interesua nëse produkti ishte ende në shitje
Go toTop