Pas arrestimit të një 49-vjeçari nga Kosova në pikën kufitare Karasovići mes Kroacisë dhe Malit të Zi, kanë nisur verifikimet për të kaluarën e tij gjatë luftës në Kosovë.
B.B., nga Nerodimja e Poshtme e Ferizajt, është ndaluar pasi ndaj tij ishte lëshuar një fletarrest ndërkombëtar me kërkesë të Serbisë. Sipas raportimeve nga Kroacia, ai dyshohet për krime lufte.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se, bazuar në verifikimet fillestare, emri i 49-vjeçarit nuk figuron në listat e veteranëve të zonës së Nerodimes.
Syla tha se ka kontrolluar edhe listat që lidhen me zonën e Koshares, por as aty nuk ka gjetur person me këtë emër.
“99% ky nuk është veteran, nuk ka përfituar certifikatë të veteranit”, ka deklaruar Syla.
Ai ka bërë të ditur se është kontaktuar edhe kryetari i OVL-UÇK-së në Ferizaj, i cili gjithashtu nuk ka gjetur të dhëna që e lidhin B.B. me listat e veteranëve.
Megjithatë, Syla ka theksuar se verifikimet do të vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rastin dhe për të përcaktuar nëse personi ka pasur ndonjë rol gjatë luftës në Kosovë.