August 19, 2026
1 min read

Prokuroria në Pejë ngrit aktakuzë ndaj dy personave për mashtrim mbi 134 mijë euro

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me inicialet V.H. dhe A.K., nën dyshimin se janë përfshirë në një rast mashtrimi në vlerë prej 134 mijë e 761 eurosh.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Themelore në Pejë, i pandehuri V.H. dyshohet se gjatë periudhës 26 maj 2021 – 29 shtator 2023 është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi.

Prokuroria pretendon se ai i kishte premtuar të dëmtuarit se do t’ia mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës, duke kërkuar dhe pranuar para kinse për shpenzime spitalore dhe procedurat e transplantimit.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, të dëmtuarit dyshohet se i është shkaktuar dëm material në shumën prej 134 mijë e 761 eurosh.

Ndërkaq, A.K. dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale, duke e prezantuar V.H. si mjek në Turqi dhe duke krijuar besim te i dëmtuari se ai kishte mundësi të organizonte transplantimin e veshkës.

Prokuroria ka bërë të ditur se procedura ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte paraqitur si dhurues i veshkës, është veçuar.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Latest from Blog

Go toTop