October 21, 2026
1 min read

Publikohet audio-përgjimi i Capital T me Policinë e Tiranës, çfarë ndodhi në telefonatën mes tyre?

Një audio-incizim i një telefonate mes reperit kosovar Capital T dhe një personi të identifikuar si zyrtar i Policisë së Tiranës ka dalë në publik, duke ngritur pikëpyetje nëse artisti është vënë nën presion pas reagimit të tij për protestat në Shqipëri.

Capital T, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi, ditë më parë shprehu mbështetjen për protestuesit, duke u bërë thirrje mediave në Kosovë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve dhe kërkesave të qytetarëve shqiptarë.

Artisti theksoi rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe raportimit pa censurë, duke nënvizuar se mediat kanë përgjegjësi të informojnë publikun për çështjet me interes të përgjithshëm.

Pas këtij reagimi, në publik u shpërnda një audio-incizim i një bisede telefonike mes reperit dhe një personi të identifikuar si oficeri Niko Kurti.

Në telefonatë, zyrtari e pyet Capital T-në se ku ndodhet dhe kur planifikon të kthehet në Tiranë. Reperi i përgjigjet se gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ende nuk e ka caktuar datën e kthimit.

Gjatë bisedës, oficeri i kërkon të mos e ndërpresë telefonatën dhe më pas e pyet nëse është Trim Ademi. Ai i shpjegon se dëshiron ta pyesë për një çështje të caktuar, por këmbëngul që biseda të zhvillohet nga afër dhe jo përmes telefonit.

Në fund të telefonatës, zyrtari i kërkon reperit që, pas kthimit nga Amerika, ta kontaktojë në të njëjtin numër dhe të paraqitet në vendin e tij të punës për të zhvilluar një bisedë personale.

Deri më tani, nga përmbajtja e publikuar e telefonatës nuk mund të konfirmohet nëse bëhet fjalë për një kërcënim apo nëse komunikimi ka lidhje të drejtpërdrejtë me qëndrimin publik të Capital T-së për protestat në Shqipëri.

Latest from Blog

Go toTop