OSBE-ja vlerëson hapat e ndërmarrë nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për trajtimin e rasteve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por paralajmëron se reformat ende nuk po zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në praktikën gjyqësore.
Këto janë gjetjet e raportit të dytë të projektit rajonal për monitorimin e proceseve gjyqësore, i cili analizon zhvillimet në gjashtë juridiksione të Ballkanit Perëndimor që nga publikimi i rekomandimeve të fundit në vitin 2024.
Raporti, pjesë e një programi më të gjerë të OSBE-së të financuar nga Bashkimi Evropian, vlerëson zbatimin e rekomandimeve të mëparshme dhe evidenton fushat ku nevojiten përmirësime për një sistem të drejtësisë penale më efikas, më të drejtë dhe më efektiv.
Publikohen më shumë aktgjykime, por problemet vazhdojnë
Sipas raportit, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë treguar angazhim më të madh në zbatimin e reformave. Përparim është shënuar në planifikimin strategjik, digjitalizimin e proceseve, trajnimin e specializuar dhe përpjekjet për të krijuar një praktikë gjyqësore më të qëndrueshme.
Një nga rezultatet konkrete është rritja e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. Gjatë periudhës së monitorimit, 36 nga 41 aktgjykimet e analizuara janë publikuar në internet, përfshirë të gjitha 20 aktgjykimet e monitoruara të Gjykatës së Apelit.
Gjithashtu, janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e shërbimeve të interpretimit dhe përkthimit, si dhe për forcimin e komunikimit të institucioneve gjyqësore me publikun.
Megjithatë, OSBE-ja vlerëson se këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për të garantuar zbatim të njëtrajtshëm të reformave në të gjitha rastet.
Procedurat e gjata dhe hetimet financiare, në fokus të kritikave
Raporti evidenton disa probleme që vazhdojnë të pengojnë efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Ndër shqetësimet kryesore janë zvarritja e procedurave gjyqësore, veçanërisht në shkallën e apelit, si dhe mungesa e konsistencës në hartimin e aktakuzave dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
Vështirësi janë identifikuar edhe në qasjen në shërbimet e interpretimit dhe në materialet e përkthyera të lëndëve. Një tjetër fushë ku kërkohet përmirësim është përdorimi i hetimeve financiare, konfiskimi i pasurisë dhe shqiptimi i dënimeve plotësuese në rastet përkatëse.
Këto mangësi, sipas vlerësimit të raportit, tregojnë se reformat institucionale duhet të shoqërohen me ndryshime konkrete në mënyrën se si hetohen, përgatiten, shqyrtohen dhe vendosen rastet komplekse.
OSBE-ja kërkon rezultate konkrete nga reformat
Kahramon Sanginov, menaxher i projektit për komponentin e Kosovës, vlerësoi përparimin e institucioneve të drejtësisë dhe zbatimin e një pjese të rekomandimeve, por theksoi nevojën që ky progres të vazhdojë.
Ai nënvizoi se hapi i radhës është që reformat të ndikojnë drejtpërdrejt në përgatitjen, menaxhimin dhe vendimmarrjen për rastet komplekse gjyqësore.
Rekomandimet e raportit kërkojnë përgjegjësi më të qarta institucionale, vazhdimësi në zbatimin e reformave dhe investime afatgjata në ekspertizën profesionale dhe burimet e nevojshme për funksionimin e sistemit.
Vëmendje e veçantë i kushtohet zbatimit praktik të strategjive, udhëzimeve dhe mjeteve digjitale, në mënyrë që ato të sjellin rezultate të matshme, duke garantuar njëkohësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Gjetjet do të diskutohen në forumin rajonal në Mal të Zi
Gjetjet dhe rekomandimet e raportit pritet të diskutohen në forumin rajonal të drejtësisë, i cili do të mbahet në Budva të Malit të Zi, më 26 dhe 27 tetor 2026.
Në këtë forum do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale nga të gjashtë juridiksionet e përfshira në projekt, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e mënyrave për t’i kthyer reformat e drejtësisë në praktikë të qëndrueshme institucionale.