Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci ka thënë se partia e saj mbështet Rezolutën për Mbrojtjen e Viktimave të Luftës.
Nagavci tha se kjo rezolutë paraqet qëndrim unik të të gjitha partive shqiptare duke potencuar se pavarësisht rendit të ditës është dokument që mund të votohet sot në Kuvend.
“Edhe njëherë po i përsërisim ato që i kemi thënë publikisht dhe janë të ditura tashmë. Propozimin për Rezolutën ne e kemi mbështetur. Kanë pasur takime sot dhe unë besoj që janë para finalizimit të përmbajtjes së rezolutës, në këtë pikë unë u kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës që është propozuar tashmë, dhe sapo të kemi dakordimin final e miratojmë. Të mos harrojmë që po flasim për një rezolutë që do të jetë një qëndrim unik i të gjitha partive shqiptare, është edhe një dokument i cili do duhej të reflektonte një përmbajtje të saktë dhe të përgjegjshme. Mendoj që përtej aspekti se a është pika e parë e tretë apo e pestë e rendit të ditës, është një dokument që mund të votohet sot”, tha Nagavci.