by
March 24, 2026
1 min read

27 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe

Sot mbushen 27 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.

Fushata ajrore e NATO-s kishte për qëllim ndaljen e dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.

Gjatë kësaj periudhe, mijëra civilë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë të tjerë u vranë ose u zhdukën si pasojë e operacioneve të forcave serbe.

Ndërhyrja e NATO-s u pasua me vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë dhe praninë e forcave paqeruajtëse, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.

Latest from Blog

Zhegrova nis stërvitjet me Juventusin

Juventusi ka nisur që sot përgatitjet për sezonin e ri 2026/27. “Bianconerët”, do të synojnë që të mospërsërin dështimet e sezonit të kaluar, ku dështuan që të kualifikohen në Ligën e Kampionëve.
Go toTop