October 20, 2026
1 min read

Protestat në Shqipëri, Kuvendi mblidhet të enjten: Ky është rendi i ditës

Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë seancën e radhës plenare të enjten, më 22 tetor, në orën 10:00, në një kohë kur në vend po vazhdojnë protestat.

Seanca e planifikuar për të enjten e kaluar ishte anuluar për shkak të situatës së krijuar nga protestat.

Sipas urdhrit të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në rendin e ditës janë përfshirë disa interpelanca me ministra, si dhe shqyrtimi i projektligjeve dhe projektvendimeve të ndryshme.

Deputetët e opozitës kanë kërkuar interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo. Ndërkohë, deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi kanë kërkuar interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Po ashtu, deputeti Tedi Blushi ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Në agjendën e seancës është përfshirë edhe projektvendimi për krijimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, i cili do të merret me fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Deputetët pritet të shqyrtojnë gjithashtu disa projektligje që lidhen me shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave, të drejtat e autorit, si dhe treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.

Seanca e së enjtes pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, në kushtet kur protestat vazhdojnë dhe opozita ka kërkuar llogaridhënie nga përfaqësues të qeverisë.

Latest from Blog

Go toTop