October 20, 2026
1 min read

Japonia nis misionin drejt Marsit, synon të sjellë mostra nga një prej hënave të tij

Japonia ka ndërmarrë një mision të rëndësishëm hapësinor drejt Marsit, me synimin për të sjellë në Tokë, për herë të parë, mostra nga njëra prej dy hënave të planetit të kuq.

Anija hapësinore MMX (Martian Moons eXploration) u nis të martën nga Qendra Hapësinore Tanegashima në Japoni, me anë të raketës H3. Nisja u konfirmua si e suksesshme, pasi anija u shkëput nga raketa sipas planit të paraparë.

Misioni udhëhiqet nga Agjencia Japoneze e Kërkimeve Hapësinore (JAXA) dhe ka për qëllim studimin e dy satelitëve natyrorë të Marsit, Phobos dhe Deimos.

Objektivi kryesor është mbledhja e të paktën 10 gramëve material nga sipërfaqja e Phobosit dhe transportimi i tyre në Tokë në vitin 2031. Anija pritet të mbërrijë në afërsi të Marsit në gusht të vitit 2027.

Një pjesë e rëndësishme e misionit do të jetë edhe roboti eksplorues Idefix, i zhvilluar në bashkëpunim nga agjencitë hapësinore të Francës dhe Gjermanisë. Zbritja e tij në Phobos parashihet të ndodhë në fund të vitit 2028 ose në fillim të vitit 2029.

Roboti do të analizojë terrenin e kësaj hëne dhe do të ndihmojë në përcaktimin e zonave më të përshtatshme për marrjen e mostrave.

Shkencëtarët shpresojnë se analizimi i materialit të mbledhur do të ndihmojë në kuptimin e origjinës së Phobosit dhe Deimosit, dy trupa qiellorë që vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje në komunitetin shkencor.

Ekzistojnë dy teori kryesore për formimin e tyre: sipas njërës, ato janë krijuar nga mbetjet e një përplasjeje të madhe me Marsin, ndërsa teoria tjetër sugjeron se mund të jenë asteroidë të kapur nga graviteti i planetit.

Projekti, me një kosto të vlerësuar prej rreth 578 milionë dollarësh, realizohet në bashkëpunim me disa agjenci ndërkombëtare, përfshirë NASA-n dhe Agjencinë Evropiane të Hapësirës.

Nëse misioni përfundon me sukses, ai do të shënojë një arritje të jashtëzakonshme në eksplorimin hapësinor, duke mundësuar për herë të parë sjelljen në Tokë të mostrave nga një prej hënave të Marsit.

Latest from Blog

Go toTop