February 27, 2026
1 min read

Falsifikim, 120 mijë euro dhe 20 vite betejë, në pritje të vendimit për pronën në Ortakoll

Një parcelë në lagjen Ortakoll të Prizrenit është kthyer në objekt të një beteje gjyqësore që ka zgjatur mbi dy dekada, duke përfshirë dy familje, pretendime për falsifikim nënshkrimi dhe investime që kapin vlerën mbi 140 mijë euro.

Në seancën përfundimtare dëshmuan të gjitha palët, përfshirë edhe serbin Zoran Gariq, i cili erdhi për herë të dytë nga Serbia për të deklaruar se kujt ia kishte shitur tokën.

Sipas tij, parcelën ia ka shitur vetëm një personi, Adem Nrecajt, ndërmjetësues për Engjull Qollakun për 120 mijë euro, përmes një marrëveshjeje të vërtetuar në gjykatë, por jo përmes kontrate klasike noteriale.

Në anën tjetër, Faim Hoti pretendon se tokën e ka blerë qysh në vitin 1999 nga ish-drejtori i gjeodezisë në Prizren, Kadri Ukimeri, për 10 mijë marka, mbi bazën e një kontrate që mbante nënshkrimin e Zoran Gariqit. Ai thotë se që nga viti 2000 jeton në atë pronë dhe ka ndërtuar shtëpinë, por gjatë viteve është përballur me kërcënime, ndërhyrje të inspektoratit dhe urdhra për dëbim.

Pika kyçe e procesit ishte ekspertiza grafologjike, e cila konstatoi se nënshkrimi i Zoran Gariqit në dokumentin mbi të cilin ishte mbështetur shitja e parë, ishte i imituar. Ky konstatim ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e kontratës së paraqitur nga Faim Hoti.

Ndërkohë, ekspertiza e vlerësimit ekonomik nxori në pah dimensionin financiar të çështjes: vlera e tokës për vitin 2023 arrin në 67 mijë euro, ndërsa objekti i ndërtuar mbi të kap vlerën prej 73,602 euro. Vetëm investimet e realizuara nga Faim Hoti në katin e parë dhe nënkulm me dy ballkone vlerësohen në 48,024 euro.

Pas më shumë se 20 vitesh përplasje, pretendimesh dhe procese gjyqësore, tashmë gjithçka mbetet në dorën e gjykatës. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren pritet të vendosë se kujt do t’i takojë përfundimisht prona në Ortakoll dhe nëse falsifikimi i konstatuar do ta ndryshojë rrjedhën e kësaj historie.

Latest from Blog

Go toTop