March 4, 2026
5 mins read

Mungesat e nxënësve dyfishohen ndër vite, Salihaj: Institucionet duhet të marrin masa

Numri i mungesave të nxënësve në shkollat publike të Kosovës po vazhdon të rritet nga viti në vit, duke u kthyer në një nga shqetësimet kryesore në sistemin arsimor. Të dhënat zyrtare tregojnë një trend në rritje si të mungesave të arsyeshme, ashtu edhe të atyre të paarsyeshme.

Në vitin shkollor 2024/2025, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në shkollat publike të Kosovës janë regjistruar rreth 7.2 milionë mungesa të arsyeshme dhe 2.7 milionë mungesa të paarsyeshme.

Nëse krahasohet me vitin shkollor 2020/2021, sipas të dhënave të MASHT, kur ishin evidentuar rreth 3.7 milionë mungesa të arsyeshme dhe 1.6 milionë të paarsyeshme, në vitin 2021/2022, mungesat e arsyeshme u rritën në 5.7 milionë, vecse ato të paarsyeshme ranë në numër simbiolik, në rreth 1.5 milionë.

Por, për t’u rritur për gati një milion në vitin 2022/2023, kur tejkaluan shifrën 2.4 milionë, krahas të arsyeshmeve që po ashtu u rritën për një milion, në 6.7 milionë.

Për numrin e madh të këtyre mungesave, eksperti i arsimit Jonuz Salihaj shprehet i shqetësuar duke e konsideruar këtë fenomen si një indikator që arsimi “po fundoset”. Ai ndër të tjerash për KosovaPress thotë se edhe mungesat e arsyeshme duhet të arsyetohen me kriter dhe “jo shkel e shko, qysh zakonisht ndodh në shkollat tona”.

“Është një numër enorm i mungesave dhe tregon që kemi të bëjmë për kokë nxënësi, në 2000-tën e kemi pasur 22 mungesa, tani kemi 42. Domethënë, është dyfishuar numri i mungesave dhe kjo ka të bëjë praktikisht me humbjen e dy javëve mësim rregullt. Dhe nëse, për shembull, nxënësi i humb dy javë mësim të rregullt në këto ditë ku kemi kalendar të shkurtër shkollor dhe probleme të mëdha në arsim, atëherë me të vërtetë kjo është shqetësuese dhe do të duhej Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të marrin masa menjëherë, në mënyrë që ta rregullojnë këtë mënyrë të menaxhimit të shkollave”, u shpreh ai.

Salihaj përmend disa arsye që ndikojnë në rritjen e mungesave të nxënësve në shkolla, ku më kryesoret sipas tij janë ato pedagogjike, psikologjike si edhe faktori social.

“Arsyet janë, së pari, pedagogjike, mandej janë psikologjike, po janë edhe emocionale. Unë besoj që nga analizat që i bëhet sistemit tonë arsimor, kjo pedagogjikja është shkaku numër një. Do të thotë, shkolla jonë nuk është atraktive, shkolla jonë nuk është digjitale. Mandej shkolla jonë ka kurrikula të ngarkuara, ka plan-programe të ngarkuara, ka shumë lëndë brenda një dite. Shkolla jonë nuk i motivon fëmijët. …02:52… Mandej po ashtu faktori psikologjik: shkolla jonë kryesisht nxënësit i ngarkon me shumë teste dhe mandej nga mos përgatitja, gjegjësisht nga faktori emocional, nxënësit fare nuk hyjnë në mësim për t’i ikur testimit …. Por edhe faktori social, kemi familje të varfra, kemi nxënës që udhëtojnë, kemi nxënës me kushte të këqija ekonomike që s’mund të arrijnë në mësim. Kemi, për shembull, fëmijë që punojnë një ndërrim”, tha Salihaj.

Ai përmend edhe ndikimin e teknologjisë te nxënësit ku përdorimi i tepruar i internetit dhe pajisjeve teknologjike deri vonë gjatë natës kontribon në mungesat e nxënësve në orët e para të mësimit.

Salihaj thotë se MASHT nuk ka politika efektive për monitorimin e vijueshmërisë së nxënësve në shkolla dhe sugjeron adoptimin e sistemit gjerman.

“Unë besoj që ne duhet të merremi me kontrollimin e legjislacionit, sepse te ne kur nxënësi mungon (kur ka mungesa) kryesisht merren masa disiplinore, por nuk merren masa ligjore. … 04:25… Unë besoj ne duhet ta kopjojmë sistemin gjerman: atje definitivisht nxënësi i cili mungon pa arsye, automatikisht alarmon prindin, automatikisht ekipi shkon te prindi, mandej dënohet prindi. ….04:40… Modeli ynë është tepër liberal. Ne e kemi keqkuptuar liberalizimin e shkollës dhe e kemi keqpërdorur skajshmërisht autonominë në shkollë”, tha ai.

Një ndër rekomandimet që duhet ndërmarrë për rritjen e angazhimit në shkolla, sipas Salihajt është ndryshimi i Ligjit për Arsimin Parauniversitar si dhe ashpërsimi i rregulloreve të komunave dhe shkollave.

“Urgjente unë besoj është të ndryshohet paragrafi që rregullon punën e mungesave në Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Duhet të ndryshojë rregullorja e komunës dhe rregullorja e shkollës, të ashpërsohen masat. Dhe kjo normalisht duhet të bëhet në harmonizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Duhet të shkarkohen plan-programet nga përmbajtja e tepërt… 05:33… Duhet të monitorohet korniza e kurrikulës së shkollës. … 05:41… Duhet patjetër që të bëhet digjitalizimi i shkollave, sepse deri tani shkollat kanë përdorur teknologjinë vetëm sa për të realizuar mësimdhënien tradicionale”, tha Salihaj.

Në këtë drejtim ai shton se në shkolla duhet të ketë trajnime urgjente për digjitalizim të ngjashëm me ato në Finlandë ku mësimdhënësit të kenë të paktën njohuri bazike në digjitalizim.

Lidhur me këto mungesa të nxënësve, KosovaPress ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit sa i përket qëndrimit të tyre për këtë fenomen, të cilët kanë thënë se për nxënësit e shkollave të Mesme të Larta është hartuar një Udhëzim Administrativ. Ndërkaq për nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, janë rregulloret që janë në përgjegjësinë e komunave, shkollave dhe prindërve.

Sipas Udhëzimit Administrativ për Kodin e Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për nxënësit e shkollave të Mesme të Larta, nxënësi i cili mungon 15 orë mësimi pa arsye, i thyhet nota e sjelljes në 3, ai i cili mungon 25 orë mësimi pa arsye, i thyhet nota e sjelljes në 1. Ndërsa masa ndëshkuese për ata që mungojnë më shumë se 32 orë pa arsye është të pezullohen nga shkolla për 3 ditë.

Ndërsa sa i përket nivelit fillor dhe të mesëm të ulët i cili është edhe obligativ, nuk ka një masë konkrete ndëshkuese për nxënësit nga MASHT, përveç Ligjit për Arsimin Parauniversitar i cili parasheh se në rastet kur mungesat janë rezultat i neglizhencës ose veprimit të paramenduar të prindërve, ata mund të dënohen për kundërvajtje.

Ndërkaq as në Udhëzimin Administrativ për Kodin e Mirësjelljes dhe Masave Disiplinore për nxënësit e shkollave të Mesme të Larta e as në Ligjin për Arsimin Parauniversitar nuk ekziston një nen në të cilin paraqiten kriteret për arsyetimin e mungesave të nxënësve.

Latest from Blog

Go toTop