Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të kuvendit për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës teksa kujtoi 5,6 dhe 7 marsin e vitit 1998, tha se në Prekaz historia u shkrua me zjarr e me gjak e toka u bë altar lirie e një familje që u bë simbol kombëtar.
“Sot me 5 mars jemi këtu bashkë për kujtimin e një prej akteve më të larta të historisë sonë kombëtare, epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes, në Prekaz historia u shkrua me zjarr e me gjak. Toka u bë altar lirie e një familje u bë simbol kombëtar. Figura e kryekomandantit Adem Jashari, e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe të bashkëluftëtarëve të tij, u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin. Kjo sakrificë u rrënjos në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm se liria paguhet shtrenjtë, se ajo është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme”, thotë Kurti.
Kurti nga foltorja e kuvendit tha se qëndresa e familjes Jashari në Prekaz edhe e të gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në udhën e çlirimit, përbëjnë një trashëgimi të thellë politike.
“Në rrjedhën historike të përpjekjeve të gjata politike e shoqërore për të drejta, barazi dhe dinjitet, kthesa në Prekaz artikuloi qartë aspiratën e popullit të Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese. Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, për bashkim dhe për artikulim të qartë të synimit tonë për shtetësi dhe pavarësi. Qëndresa e familjes Jashari në Prekaz edhe e të gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në udhën e çlirimit, përbëjnë një trashëgimi të thellë politike, kulturore e kombëtare prej së cilës buron liria e Kosovës dhe mbi të cilën u ngrit republika jonë. Krismat e pushkëve në Prekaz u përhapën larg deri te ndërgjegjja e diplomacisë ndërkombëtare. Ato krisma zgjuan mbarë kombin dhe shumëfishuan radhët e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke e shndërruar rezistencën në një lëvizje të pandalshme për liri kombëtare. Të dashur qytetarë, përmes sakrificës së Prekazit janë tejkaluar kufijtë e një ngjarjeje të vetme historike të ndodhur në vendin tonë këtu e 27 vjet më parë. Ajo tashmë është besë e shpresë për popullin tonë, pikë referimi për brezat e ardhshëm, si dhe çështje studimi e frymëzimi për studiuesit dhe akademikët mbarë botës. Duke e përkujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne riafirmojmë zotimin dhe besatimin tonë për një Kosovë të lirë, të drejtë dhe përparimtare, mbi historinë tonë të lavdishme e drejt të ardhmes sonë.