March 5, 2026
1 min read

Dyshimi për manipulim me vota, Supremja ndërpret paraburgimin ndaj kryesuesit të KKZ-së në Prizren

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur t’ia ndërpresë masën e paraburgimit kryesuesit të Komisionit Zgjedhor në Prizren, Nysret Bytyqit, duke e liruar atë që të mbrohet në liri.

Në një komunikatë për media, Supremja ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në çështjen penale ndaj të pandehurit Nysret Bytyqit, i cili dyshohet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Gjykata Supreme në çështjen penale ndaj të pandehurit Nysret Bytyqit, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ka marrë vendim që të aprovojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është liruar për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në komunikatë.

Me këtë vendim, Supremja ka ndryshuar aktvendimet e Gjykata Themelore në Prizren dhe të Gjykata e Apelit, të cilat kishin caktuar dhe konfirmuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit për veprën penale “falsifikimi i rezultatit të votimit”.

Sipas Gjykatës Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura, është vlerësuar se dy instancat më të ulëta gjyqësore nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm për ekzistimin e bazës ligjore për caktimin e paraburgimit.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se arsyetimet e dhëna lidhur me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjes së veprës penale janë të natyrës supozuese dhe nuk mbështeten në prova konkrete”, thuhet më tej në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, sipas Supremes, nuk rezulton se ekziston rrezik real që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale, duke marrë parasysh se procesi zgjedhor tashmë ka përfunduar dhe rezultatet janë certifikuar.

Gjykata Supreme ka theksuar po ashtu se paraburgimi është masë e fundit (ultima ratio), e cila duhet të zbatohet vetëm në mënyrë të jashtëzakonshme dhe kur plotësohen qartë kushtet e përcaktuara me ligj.

Latest from Blog

Go toTop