Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka rrëfyer për përhapjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas masakrës së familjes Jashari në mars të vitit 1998.
Ai tha se pas masakrës që ndodhi në familjen Jashari, lufta filloi të zgjerohej shpejt jo vetëm në Drenicë, por edhe në zona të tjera të Kosovës.
“Suksesi më i madh ka qenë pas masakrës së familjes Jashari në mars të vitit 1998. Pas asaj që ndodhi me komandantin, brenda dy javësh, diku rreth 20 ditë më pas, filloi lufta edhe në Gllogjan. Pastaj lufta filloi të përhapej në të gjithë Kosovën, në Llap, në Gollak e në zona të tjera”, tha Gucati.
Ai theksoi se në atë kohë kishte një vullnet të madh të të rinjve për t’iu bashkuar UÇK-së.
“Filluan të rinjtë dhe të rejat që të bashkoheshin me UÇK-në. Ishte një vullnet i jashtëzakonshëm. Unë e kam parë në Likovc, kur kam shkuar për armatim, njerëz duke qarë”, deklaroi ai.