Të hënën e 9 marsit, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin për caktimin e masës së përkohshme ndaj vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Masa e përkohshme vlen nga data 9 e deri më 31 mars, që ia ndalon Kuvendit dhe Presidentes çdo veprim deri me këtë datë.
Në emisionin “Ora Shtatë”, opinionistja Aida Dërguti, tha se masa e përkohshme është e drejtë.
“Meqë i janë drejtuar Gjykatës mendoj që masa e përkohshme është vendosur drejt, domethënë duke armotizuar që të dyja palët për një periudhë deri të shqyrtohet, edhe dekretin, por njëkohësisht edhe Kuvendin”, tha Dërguti.
Me Dërgutin u pajtua edhe juristja Doruntina Meha.
“Besoj që Gjykata i ka pezulluar të dyja, për shkak që ne do të shkojmë në zgjedhje padyshim, por do ta sqarojë procedurën se si do të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Meha.
Nga ana tjetër, gazetari Valon Rashiti pretendoi se presidentja Vjosa Osmani “u ngut kur u shpërndau Kuvendin e Kosovës”.