April 15, 2026
2 mins read

S’u përfshi në kryesinë e LDK-së, flet për herë të parë Arben Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës është bërë me kryesi të re.

Kryetari i LDK-së, pas konsultimeve të brendshme, ka marrë vendim për emërimin e Kryesisë së re të LDK-së. E pjesë e kësaj kryesie nuk është Arben Gashi.

Lidhur me këtë ka reaguar vetë Gashi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Mes tjerash Gashi thotë se hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë.

Ai thotë se LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike.

Reagimi i plotë:

Të nderuar përkrahës, votues e simpatizantë të LDK-së, qytetarë të Kosovës,

Pas publikimit të Kryesisë së re të LDK-së, kam pranuar shumë telefonata dhe mesazhe nga ju dhe nga mediat. Prandaj, po e them qartë:

Unë nuk jam pjesë e Kryesisë së re të LDK-së.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit 2025, kam folur hapur brenda strukturave të LDK-së për gjendjen në parti dhe për humbjen e besimit të brendshëm. Kam propozuar veprime konkrete për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri, gjithëpërfshirës, konkurrues dhe me vizion të qartë.

Këto propozime nuk gjetën përkrahje në votim, edhe pse realiteti u pranua në fjalë.

Kam refuzuar përjashtimet dhe kam kërkuar unitet. Jo për individë, por për një ide: që një parti që synon të udhëheqë, duhet së pari të jetë e bashkuar dhe e drejtë me vetveten.

Edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku rezultati nuk ishte ai që e meriton LDK-ja, paraqita sërish analiza dhe rrugëdalje konkrete. U zgjodh një drejtim tjetër. E pranoj këtë si fakt politik, por jo si fund të bindjeve të mia.

Sot e them pa dilemë:

Hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë.

Një cikël politik ka përfunduar.

LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike.

Sepse:

Besimi nuk kërkohet – fitohet.

Shpresa nuk premtohet – ndërtohet.

Ndryshimi nuk pret – bëhet.

Sot, Kosovës i mungon më shumë se gjithçka tjetër besimi dhe shpresa. I duhet një politikë që pranon realitetin, por ndërton të ardhmen. I duhet një angazhim i sinqertë që e kthen qytetarin në qendër, i duhen vlerat e vërteta të LDK-së.

Unë besoj se këto vlera mund të rikthehen. Dhe për këtë do të angazhohem pa hezitim.

A do ta gjejë LDK-ja forcën për ta bërë këtë?

Kjo mbetet për t’u parë.

Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë:

në anën e parimeve, të votuesit dhe të së vërtetës.

Ju priftë e mbara!

Latest from Blog

Go toTop