Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar për rreziqet që, sipas tij, paraqesin ambiciet e Serbisë për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për një medium hungarez, Konjufca ka theksuar se Kosova mbetet e orientuar drejt integrimit euroatlantik dhe ndërtimit të marrëdhënieve paqësore me shtetet fqinje. Megjithatë, ai ka shprehur shqetësimin për pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
Kreu i diplomacisë kosovare ka nënvizuar se mundësia e një konflikti të ri të armatosur nuk duhet shpërfillur, duke kujtuar pasojat e rënda që lufta ka lënë në vend dhe te qytetarët e tij.
Sipas Konjufcës, qytetarët e Kosovës dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa kërcënime, ndërsa Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit të saj.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për praninë dhe grumbullimin e forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, si dhe për sulmet e raportuara në pjesën veriore të vendit, duke vlerësuar se këto zhvillime kërkojnë vëmendje të shtuar.
Ministri ka paralajmëruar se çdo shtim i pranisë ushtarake serbe pranë kufirit ose sulm ndaj territorit dhe infrastrukturës kritike të Kosovës do të mund të shkaktonte një përshkallëzim serioz të situatës.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s dhe të bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ruajtjen e sigurisë dhe parandalimin e konflikteve të mundshme.
Konjufca ka bërë të ditur gjithashtu se Kosova do të vazhdojë të investojë në forcimin e institucioneve të mbrojtjes, pa hequr dorë nga rruga diplomatike dhe dialogu konstruktiv.
Në përfundim, ai ka vlerësuar se stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor mund të arrihet përmes respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve të rajonit.