October 19, 2026
4 mins read

Çlirim Haziri kërkon nga Presidentja vendim për ligjin: UÇK-ja ka nevojë për një ligj në përputhje me Kushtetutën

Çlirim Haziri, drejtues i iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë dhe të koordinojnë veprimet lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një konferencë për media, Haziri i ka kërkuar Presidentes së Kosovës që ta shqyrtojë me kujdes Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili aktualisht ndodhet në Presidencë.

Ai ka theksuar se, nëse gjatë shqyrtimit evidentohen dispozita që nuk janë në përputhje me Kushtetutën ose probleme të tjera ligjore, Presidentja duhet ta shfrytëzojë kompetencën e saj kushtetuese për ta kthyer ligjin në Kuvend për rishqyrtim dhe përmirësim.

“Nëse konstatohen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën apo kanë çfarëdo problemi ligjor, kërkojmë që Presidentja ta ushtrojë kompetencën e saj kushtetuese dhe ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka rikujtuar se anëtarët e iniciativës qëndruan për 21 ditë e 21 net në sheshet e Prishtinës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale pas vendimit të 16 shtatorit, të cilin e vlerësojnë si të padrejtë.

Sipas Hazirit, nevojitet një ligj kushtetues, funksional dhe në përputhje me standardet evropiane, i cili do të sjellë rezultate konkrete dhe do të jetë i qëndrueshëm në kohë.

Një tjetër kërkesë e iniciativës është krijimi i një mekanizmi të pavarur dhe profesional për monitorimin e proceseve gjyqësore, përmes bashkëpunimit me institute, universitete dhe ekspertë të drejtësisë.

Ky mekanizëm, sipas tij, do të duhej të analizonte procedurat gjyqësore, provat dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve. Po ashtu, rezultatet do të pasqyroheshin në raporte dhe analiza juridike të pavarura, të cilat do t’u përcilleshin institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.

“Ne nuk kërkojmë drejtësi të privilegjuar për UÇK-në. Ne kërkojmë drejtësi të drejtë!”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka shprehur bindjen se ish-udhëheqësit e UÇK-së janë të pafajshëm, duke theksuar se askush nuk duhet të konsiderohet përfundimisht fajtor pa një vendim të formës së prerë, të bazuar në prova dhe në një proces të drejtë gjyqësor.

Haziri ka pretenduar gjithashtu se gjatë procesit në Gjykatën Speciale janë bërë shkelje serioze dhe se, sipas vlerësimit të iniciativës, provat nuk janë shqyrtuar në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe gjithëpërfshirëse. Ai ka kërkuar që këto pretendime të analizohen nga ekspertë të pavarur, në bazë të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Duke folur për të drejtat e viktimave, ai ka theksuar se edhe ato kanë të drejtë ta mësojnë të vërtetën përmes fakteve dhe provave.

“Drejtësia për të akuzuarit dhe drejtësia për viktimat nuk janë dy kauza kundërshtare. Ato takohen në një pikë të vetme: te e vërteta”, ka thënë Haziri.

Ai ka përshëndetur edhe themelimin e komisionit qeveritar për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Sipas tij, puna e këtij komisioni duhet të nisë menjëherë dhe të mbështetet në ekspertizë profesionale, koordinim institucional, objektiva të qarta dhe afate konkrete.

Haziri ka nënvizuar se zvarritja e proceseve gjyqësore shton pritjen për të akuzuarit, familjet e tyre dhe viktimat që kërkojnë zbardhjen e së vërtetës.

Ai ka bërë të ditur se përfundimi i qëndrimit në shesh nuk nënkupton heqje dorë nga kërkesat e iniciativës. Përkundrazi, sipas tij, do të vazhdojnë të përcjellin vendimet dhe veprimet e institucioneve, duke kërkuar llogaridhënie për zotimet e marra.

Haziri ka paralajmëruar se iniciativa mund të rikthehet në protesta nëse institucionet nuk ndërmarrin veprimet e kërkuara.

Në përfundim, ai i ka kërkuar Presidentes që të vendosë lidhur me ligjin, duke vlerësuar nëse duhet ta dekretojë apo ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim, ndërsa Qeverisë i ka bërë thirrje që të nisë pa vonesë hartimin e strategjisë shtetërore.

“Përgjegjësia shtetërore nuk përfundon me një deklaratë, me një votim apo me krijimin e një komisioni. Ajo dëshmohet me veprime dhe rezultate”, ka theksuar Haziri.

Ai e ka përmbyllur deklarimin duke nënvizuar rëndësinë historike të UÇK-së për Kosovën dhe duke përsëritur kërkesat e iniciativës për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe angazhim institucional.

“Për UÇK-në kërkojmë drejtësi. Për viktimat kërkojmë të vërtetën. Për institucionet kërkojmë përkushtim dhe punë.”

Latest from Blog

Go toTop