October 19, 2026
1 min read

Kryeministri belg De Wever uron Kurtin për mandatin e ri, synohet zgjerimi i bashkëpunimit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi për mandatin e ri nga kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i cili ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Në letrën e tij, De Wever ka theksuar se kontaktet politike ndërmjet dy qeverive janë intensifikuar gjatë viteve të fundit. Ai ka përmendur takimin me Kurtin në New York në shtator të vitit të kaluar, si dhe vizitën e ministrit belg të Punëve të Jashtme, Prévot, në Prishtinë në prill të këtij viti.

Sipas tij, këto takime dhe shkëmbime dëshmojnë marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

Kryeministri belg ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin në fushën e policisë dhe drejtësisë, veçanërisht angazhimin e përbashkët në luftimin e krimit të organizuar, të cilin e ka cilësuar si shqetësim për të dyja shtetet.

De Wever ka shprehur interesim për zgjerimin e bashkëpunimit edhe në sektorë të tjerë, përfshirë mbrojtjen dhe sistemin korrektues, si dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike.

Në këtë drejtim, ai ka vënë në pah rëndësinë e diasporës dhe lidhjeve të forta njerëzore ndërmjet dy vendeve, të cilat mund të shërbejnë si bazë për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.

Latest from Blog

Go toTop