Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar një takim me delegacionin e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith.
Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me theks të veçantë në luftimin e pastrimit të parave, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe hetimin e veprave penale financiare dhe formave të ndërlikuara të kriminalitetit ekonomik.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte mbështetja profesionale për prokurorët e shtetit, me qëllim të avancimit të njohurive dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në trajtimin e rasteve që lidhen me krimin financiar dhe ekonomik.
Përfaqësuesit amerikanë kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur mekanizmat e themeluar nga Kryeprokurori i Shtetit, veçanërisht mekanizmin mbikëqyrës të punës së Prokurorit të Shtetit.
Ndërkaq, kryeprokurori Gashi ka theksuar rëndësinë e thellimit të partneritetit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së, duke vënë në pah se bashkëpunimi i mëtejmë synon rritjen e efikasitetit në zbatimin e ligjit dhe fuqizimin e aftësive profesionale të prokurorëve.
Takimi synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit financiar, si dhe në avancimin e sundimit të ligjit.