October 19, 2026
1 min read

Pacolli: Nuk do të lejojmë punime pa mbikëqyrje profesionale

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, dhe anëtarët e Bordit të kësaj ode, ku është diskutuar për forcimin e mbikëqyrjes profesionale në projektet ndërtimore dhe vendpunishte.

Gjatë takimit, Pacolli ka theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të inxhinierëve të licencuar në projektet ndërtimore, duke vlerësuar se mbikëqyrja profesionale është thelbësore për garantimin e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve në vendpunishte.

Ajo ka bërë të ditur se ministria, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të angazhohet për zbatimin e ligjeve dhe respektimin e standardeve të sigurisë në të gjitha vendpunishtet në Kosovë.

“Nuk do të tolerojmë punime pa mbikëqyrje profesionale dhe as keqpërdorim të licencave nga inxhinierët e licencuar”, ka deklaruar Pacolli.

Ministrja ka theksuar se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe projekteve publike, me qëllim që ato të realizohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë pajisjen me leje ndërtimore, mbikëqyrjen profesionale dhe angazhimin e inxhinierëve të licencuar.

Latest from Blog

Go toTop