Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka kërkuar rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial, gjatë vizitave zyrtare që ka zhvilluar në tri prokurori të Kosovës.
I shoqëruar nga zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, Gashi ka vizituar Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Gjatë këtyre takimeve, ai është informuar nga afër për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen prokurorët në punën e tyre të përditshme, si dhe për nevojat profesionale dhe institucionale që kërkojnë zgjidhje.
Gashi ka prezantuar gjithashtu hapat e ndërmarrë që nga marrja e detyrës, duke theksuar rëndësinë e mekanizmave që synojnë përmirësimin e cilësisë së punës dhe ruajtjen e integritetit të prokurorëve.
Ai ka shprehur përkrahje për prokurorët në përmbushjen e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor, por njëkohësisht ka kërkuar angazhim më të madh, përgjegjësi dhe rezultate konkrete në ushtrimin e detyrave.
Vizitat janë pjesë e një nisme të Kryeprokurorit të Shtetit për të përfshirë të gjitha prokuroritë e vendit, me synimin që të identifikohen problemet, të përmirësohet puna institucionale dhe të forcohet sundimi i ligjit në Kosovë.