Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka shpallur konkurset për ndarjen e bursave për studentët e doktoratës dhe studiuesit që synojnë të zhvillojnë hulumtime postdoktorale, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Sipas ministrisë, mbështetja financiare do të realizohet përmes tri skemave të bursave, në kuadër të Programit Kombëtar të Shkencës.
Vlera e përkrahjes financiare ndryshon varësisht nga programi për të cilin aplikohet:
- 3,000 euro për studimet e doktoratës në Kosovë.
- 8,500 euro për studimet e doktoratës jashtë vendit.
- 10,000 euro për hulumtimet postdoktorale jashtë vendit.
Ministria ka bërë të ditur se këtë vit, për herë të parë, është paraparë mbështetje e veçantë financiare edhe për studentët që ndjekin studimet e doktoratës në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Përmes kësaj nisme, synohet të krijohen kushte më të favorshme për avancimin akademik të studiuesve të rinj, të nxitet zhvillimi i kërkimit shkencor dhe të forcohen lidhjet e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.
Gjithashtu, avancimi i hulumtimit dhe inovacionit në universitetet vendore pritet të ketë rol të rëndësishëm në kuadër të Strategjisë së re për Arsim 2035+, me synimin që institucionet e arsimit të lartë të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit dhe në realizimin e prioriteteve shtetërore.
MASh u ka bërë thirrje kandidatëve të interesuar që të informohen për kriteret, kushtet dhe afatet e aplikimit, në mënyrë që të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit të përcaktuar.
Informacionet e plota për konkurset dhe procedurat e aplikimit mund të gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës: https://mash.rks-gov.net/