Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratës së ministrit serb, Ivica Daçiq, se “flamuri serb do të valvitet mbi Prizren”, duke kërkuar nga liderët politikë përgjegjësi dhe kontribut në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Daçiqi e bëri këtë deklaratë gjatë një paraqitjeje publike në prag të zgjedhjeve në Serbi, duke nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Lidhur me këtë deklaratë, është kërkuar qëndrim nga Brukseli zyrtar, i cili ndërmjetëson procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një zëdhënës i BE-së ka theksuar se politikanët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në forcimin e besimit dhe stabilitetit në rajon.
“Presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në një mjedis besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka deklaruar zëdhënësi.
BE-ja kërkon veprim të menjëhershëm për Radoiçiqin
Brukseli ka shprehur gjithashtu keqardhje për faktin se Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale të Milan Radoiçiqit, i dyshuar për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023.
BE-ja ka ngritur shqetësime edhe për raportimet se Radoiçiqi ka marrë pjesë në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS), e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
“BE-ja ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që personat përgjegjës për sulmin e vitit 2023 në Banjskë – përfshirë Milan Radoiçiqin – të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e zëdhënësit.
Ai ka theksuar se Serbia ende nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për arrestimin dhe ndjekjen penale të personave që ndodhen në territorin e saj.
Brukseli i ka kërkuar Beogradit bashkëpunim të plotë përmes mekanizmave të vendosur të ndihmës së ndërsjellë juridike, duke nënvizuar se çështja nuk mund të mbetet më pezull.
“Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të vendosura për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje është pezull prej kohësh dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga ana e Serbisë”, ka përfunduar zëdhënësi i BE-së.