Që nga orët e mëngjesit banorët e lagjës “Dardania” kanë mbetur pa rrymë. Teksa temperaturat kanë rënë dhe se ende nuk ka as ngrohje, disa lagje të Prishtinës tashmë nuk kanë as rrymë.
Banorët e asaj pjese qëndronin në kafiteritë afër lagjës, për shkak të ftohtit në pritje të rrymës, teksa pinin kafe nën zhurmën e gjeneratorëve.
Thonin se reduktimet filluan me rënien e temperaturave dhe se nëse mbesin pa rrymë, do ta kenë tëvështirë t’i kalojnë këto ditë të ftohta.
Por zëdhënësi i KEDS-it Lulzim Krasniqi thotë për “Indeksonline”, se nuk bëhet fjalë për reduktime, por se ka ndodhur një prishje në Nënstacionin 6, gjë që ka bërë një pjesë e qenders dhe lagjes Dardania të mbesin pa rrymë.
“Nuk bëhet fjalë për reduktime, por ka prishje në nënstacionin Prishtina 6. Shumica e daljeve janë kthyer në funksion kanë mbetur vetëm dhe pak dalje të kthehen në funksion. Pra, është çështje kohe. Shumë shpejt pritet që të evitohen këto prishje dhe qytetarët e asaj pjesë së shpejti do të kenë rrymë“, tha Krasniqi.