Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe deputetin e kuvendit, Agim Bahtiri, vizitoi dje për ngushëllime familjen Mustafa, në Shipol të Mitrovicës, me rastin e vdekjes së zyrtarit policor, Shemë Mustafa.
Ai i shprehu familjes dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre, duke vlerësuar lart punën, profesionalizmin dhe kontributin e të ndjerit në ruajtjen e rendit, sigurisë, integritetit territorial, si edhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Shemë Mustafa ishte pjesëtar i Policisë Kufitare, dy vjet më parë, gjatë kryerjes së detyrës, ishte rrëmbyer nga njësitet speciale të Serbisë, thellë në territorin e Republikës së Kosovës. Shërbimi i tij me guxim dhe përkushtim do të mbetet shembull për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe gjeneratat e ardhshme.
