Screenshot
March 3, 2026
1 min read

Rutte nga Shkupi: Problemet e së kaluarës të Ballkanit të mbeten fort pas nesh

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Maqedoninë e Veriut të martën, ku u takua me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Me këtë rast, Rutte falënderoi RMV-në për kontributin e saj në sigurinë euro-atlantike, duke shtuar se Maqedonia e Veriut ka një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes kontributit të saj në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR.

Duke iu drejtuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Sekretari i Përgjithshëm tha se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n. “Duhet t’i mbajmë problemet e së kaluarës, fort pas nesh. Retorika përçarëse është e papërgjegjshme dhe e rrezikshme, është armike e progresit. Nuk duhet të lejojmë kurrë që paqja të vihet në rrezik”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkaq sipas REL-it, ai theksoi se KFOR-i “vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.

“Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur misionin”, tha Rutte, duke shtuar se bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët.

Tutje, ai tha se trupat maqedonase shërbejnë krah forcave të shumë aleatëve të tjerë si pjesë e Forcave Tokësore të Përparuara në Bullgari dhe Letoni, “duke mbrojtur krahun tonë lindor me një parandalim dhe mbrojtje të besueshme”.

Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, përfshirë përmes nismës PURL të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm përshëndeti faktin që Maqedonia e Veriut i dedikoi më shumë se 2% të PBB-së për mbrojtjen në vitin 2025. “Ky është një progres i rëndësishëm, teksa aleatët përgatisin rrugën e besueshme për të arritur 5% të shpenzimeve të mbrojtjes deri në vitin 2035”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Latest from Blog

“La vida Loca”, nga Istogu në Mallorca

Dy motrat Balaj, Rina dhe Rudina vazhdojnë t’i ndjekin qefet vetes. Dy motrat istogase kanë shkuar për pushime në Majorka të Spanjës. Pa asnjë shoqërues, motrat Balaj shfaqen me stil elektrizues në
Go toTop