Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Gani Gecit kundër vendimit për caktimin e 30 ditëve paraburgim, duke lënë në fuqi masën e shqiptuar nga Gjykata Themelore.
Mbrojtja kishte kërkuar anulimin e vendimit të shkallës së parë dhe lirimin e Gecit nga paraburgimi. Në alternativë, ishte kërkuar që masa të zëvendësohej me ndalimin për t’iu afruar personit ose vendit të caktuar.
Megjithatë, Gjykata e Apelit nuk i ka aprovuar kërkesat e mbrojtjes, duke vendosur që Geci të vazhdojë qëndrimin në paraburgim.
Gani Geci u ndalua pas ankesës së gazetarit Lirim Mehmetaj
Gani Geci u ndalua më 13 tetor, pas ankesës së gazetarit Lirim Mehmetaj. Një ditë më vonë, më 14 tetor, Gjykata Themelore i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Me vendimin e fundit, Gjykata e Apelit ka konfirmuar masën e sigurisë, ndërsa kërkesa e mbrojtjes për lirimin e tij ose zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të butë është refuzuar.